Rreth orës 6 të mëngjesit më 1 qershor 2015, zhurma e një motori të vogël përcillej mbi detin e qetë deri në një plazh në ishullin grek të Lesbos. Menjëherë pas kësaj, një gomone me 20 njerëz në bord u afrua në breg.
Ndërsa varka afrohej në plazhin Eftalou në anën veriore të ishullit, pasagjerët ngritën duart e tyre në qiell dhe bërtitën “Allahu Ekber!” (Zoti është i Madh!” në arabisht).
Brenda një ore, dy varka të tjera mbërritën në plazh. Shumica e atyre në bord ishin nga Siria, Afganistani, si dhe nga vende të ndryshme afrikane. Kalimi dhjetë kilometërsh nga brigjet turke qe vetëm një prej fazave të udhëtimit të tyre të gjatë. Por për herë të parë, ata po vinin këmbë në tokën europiane.
Rreth 25 kilometra më tutje, në fshatin Kerami Kallonis, një prift grek orthodoks 57 vjeçar me emrin Stratis Dimou, një burrë i gjatë me sy blu të shkëlqyera, mori lajmin për mbërritjen e re përmes telefonit.
At Stratis doli menjëherë nga shtëpia dhe u nis për te ndërtesa e vogël ku gjendet selia e “Agkalia” (“Përqafimi” në greqisht), një organizatë humanitare të cilën ai e themeloi më 2009 për të ndihmuar refugjatët dhe migrantët. Ai përgatiti sanduiçe dhe nxorri shishe me ujë për të sapo-mbërriturit, të cilët pritej të arrinin në fshat më këmbë rreth mesditës. Për shkak se ata kanë hyrë në Greqi ilegalisht, ligjet e Greqisë ndalojnë njerëzit që t’i transportojnë ata.
At Stratis, i cili mban një maskë oksigjeni për të përballuar vështirësitë që ka me frymëmarrjen, më tregon se te zyra e organizatës ka shpërndarë më shumë se 60 tonë ushqime të dhuruara nga banorët vendës dhe se ka ndihmuar më shumë se 10 mijë migrantë dhe refugjatë.
“Tani së fundmi, tri gra mbërritën në fshat – dy prej tyre qenë shtatzënë. Që të treja patën humbur kontaktet me bashkëshortët dhe fëmijët e tyre. Ne i ndihmuam që të ribashkohen me familjet e tyre,” tha ai.
“Dhe kur ata u ribashkuan, njëri nga bashkëshortët doli para meje dhe më puthi. Dashuria nuk ka fe. Shën Pali shkruan te Letra për Korinthasit: ‘Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon’.”
Skena si ajo në plazhin Eftalou janë përsëritur shumë shpesh në ishujt grekë përgjatë muajve të fundit, ndërkohë që Europa po përballet me krizën më të madhe të refugjatëve në dekada.
Deri tani, rreth 800.000 refugjatë dhe migrantë kanë mbërritur në Greqi nga Turqia përmes detit këtë vit. Në të gjithë vitin 2014 pati vetëm 43,500 të ardhur. Ndërkohë, më shumë se 36.000 njerëz kanë vdekur ose janë raportuar të humbur pasi u përpoqën të mbërrijnë në Europë nga deti këtë vit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.
Në shumicën e Europës, kishat kristiane dhe organizatat bamirëse janë angazhuar shumë në përpjekjet për të ndihmuar refugjatët dhe migrantët. Por në Greqi, Kisha Orthodokse nuk luan një rol të madh dhe disa nga priftërinjtë madje kanë sugjeruar që migrantët myslimanë përbëjnë rrezik për vendin.
Gjithsesi, priftërinj të tjerë kanë ndjekur rrugën e At Stratis, i cili u nda nga jeta për shkak të kancerit në mushkëri më 2 shtator 2015. Ai vdiq në të njëjtën ditë me Aylan Kurdi, fëmijën trevjeçar sirian, vdekja e të cilit u bë simbol botëror për tragjedinë e refugjatëve pasi fotot e trupit të tij të nxjerrë në breg nga deti në një plazh turk u publikuan nëpër botë.
Këta klerikë e shohin këtë punë si pjesë të misionit të tyre kristian për të ndihmuar ata që po vijnë nga zonat e luftës në Lindje të Mesme dhe në Azinë e Jugut, si dhe nga vendet e varfëra të Afrikës.
Murgu dhe refugjati
At Chrysostomus Hatzinikolaou, 41 vjeç, është një murg që jeton në një bashkësi manastiri në Malin Athos në Greqinë e veriut. Murgjit që jetojnë atje konsiderohen të mbyllur në vetvete dhe konservatorë, por At Chrysostomus ka krijuar një miqësi shumë të pagjasë me Amint Fadoul, një avokat 29 vjeçar sirian, i cili porotestoi kundër presidentit Bashar al-Assad dhe u arratis nga vendi i tij më 2013 për të shpëtuar jetën e vet.
Në maj këtë vit, në një kafe në Selanik, murgu, një figurë shtatlartë me veladon të zi dhe me shikim të rreptë, dhe Fadoul, i veshur me një xhaketë blu dhe që kontrollonte celularin herë pas here, ritreguan ngjarjet që i bënë ata bashkë.
Në fillim të vitit 2014, At Chrysostomus po vizitonte manastirin Agia Triada (Trinia e Shenjtë) në Hejbeliada, një ishull i vogël pranë Stambollit, kur takoi Fadoulin, i cili është kristian orthodoks.
Në mes të vitit të kaluar, Fadoul hyri në kontakt me murgun dhe i kërkoi atij ndihmë në përpjekjen për t’u zhvendosur në Greqi në mënyrë të ligjshme. Ai nuk mund të rinovonte një vizë që i lejonte atij të vijonte të qëndronte në Turqi.
At Chrysostomus kontaktoi autoritetet greke por nuk gjeti dot zgjidhje. Në një farë pike, Fadouli vendosi të bëjë atë që qindra e mijëra të tjerë e kanë bërë këtë vit – të paguante një trafikant, në rastin e tij 1,250 euro, për të kaluar në Europë.
Ndërsa krishtlindjet u afruan, në mesnatën e 23 dhjetorit 2014, ai hipi në një gomone pranë Kusadasit në brigjet e Turqisë bashkë me 36 njerëz të tjerë nga Siria, Iraku dhe Kameruni dhe filloi udhëtimin e rrezikshëm drejt ishullit grek të Samosit. Në një pikë, Fadoul pa në hartë në celularin e tij dhe kuptoi se varka qe tepër larg tokës dhe kishte shumë pak karburant për të vijuar udhëtimin.
“Fillova të besoj se ne do të mbyteshim,” tha Fadoul.
Në orën 2.45 të mëngjesit, ai dërgoi një mesazh te At Chrysostomus, duke i kërkuar atij të telefonojë për një helikopter shpëtimi.
At Chrysostomus mori lajmin: “Unë isha në fshatin tim në Florina, Greqia e veriut; qe nata para Krishtlindjeve. Mora në telefon dikë që njihja në Samos dhe ai më tha se nuk kishte asnjë mundësi të mobilizonte një helikopter ose një mjet shpëtimi. Gjithashtu, autoritetet mund të më pyesnin se si e dija unë që kishte emigrantë dhe se kishte rrezik të akuzohej për bashkëpunim në trafik. Nuk mund të bëja asgjë veçse të lutesha.”
Amint rikujtoi: “Në mes të natës, varka goditi shkëmbinjtë. Ne ramë në ujë. Qe errësirë. Unë notova me sa fuqi kisha dhe më në fund këmbët më prekën tokë. Qe një mrekulli.”
Ai bëri udhëtimin drejt Selanikut dhe gjeti strehë në një shtëpi nën pronësinë e At Chrysostomus. Ai po mëson greqisht në universitetin e qytetit dhe po mendon të aplikojë për azil politik në mënyrë që të qëndrojë në Greqi.
At Chrysostomus tha se ai do ta kishte ndihmuar Fadoul edhe nëse ai nuk do të qe kristian.
“Shën Pali thotë në Letrën për Galatianasit: ‘Nuk ka as hebre as pagan, as skllav as të lirë, as mashkull dhe as femër’,” tha ai.
“Ne filluam t’i kemi frikë ata”
Mund të duket e qartë se nëse priftërinjtë kristianë do të ndiqnin këshillëne Jezusit “Duaje fqinjin si vetveten”, ata do të ndihmonin refugjatët. Por nuk ndodh gjithmonë kështu.
Mitropoliti Anthimos i Selanikut është një nga priftërinjtë e profilit të lartë në median e Greqisë. Ai shpesh ka folur kundër migrantëve në predikimet e tij.
Në zyrën e tij, ai më tha se refugjatët myslimanë përbëjnë një kërcënim për besimin fetar të grekëve.
“Për fat të keq, këto ditë nuk ka zëra rezistence kundër sulmit që po ndodh, qëllimi i të cilit është të joshë besimtarët të ikin nga besimi kristian orthodoks – dhe që t’i ekzekutojë ata nuk ata të mos pranojnë,” tha ai.
“As në Mesjetë nuk mund të shihje atë që xhihadistët po bëjnë sot. Dhe kur na thonë se ka ekstremistë mes emigrantëve, atëherë ne fillojmë t’i kemi frikë ata.”
Pasi i rikujtohet se Libri i Shenjtë këshillon dashuri ndaj të huajve, Anthimos përgjigjet prerazi: “Ekzakt! T’i duam ata, por jo të biem viktima bashkë me ta. Në alegorinë e Samaritanit të Mirë, dikush mjekoi një të huaj të plagosur, u kujdes për plagët e tij, e mbajti atë për në një han dhe madje pagoi edhe faturën e tij. Por ai nuk e la atë në shtëpinë e tij.”
Anthimos nuk është zyrtari i vetëm i lartë i kishës që ka mendime të tilla. Retorika e Mitropolitit Seraphim të Pireut është njëkohësisht ksenofobike dhe raciste. Në maj 2015, ai shpërndau një qarkore në të gjitha kishat në Pire, duke dënuar ligjet kundër racizmit të miratuara nga qeveria e Greqisë si dhe vendimin për ndërtimin e një xhamie në Athinë. Seraphim nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për intervistë për këtë artikull.
Niki Papageorgiou, një profesore e asociuar teologjie në Universitetin Aristotel të Selanikut, tha se sjelljet ksenofobike nuk kanë bazë në teologjinë orthodokse, e cila vlerëson tolerancën. Por, tha ajo, Kisha Orthodokse Greke e sheh veten shpesh si roje të traditave dhe gjuhës greke.
“Disa priftërinj orthodoksë si dhe njerëz pranë kishës, mendojnë se kombi grek dhe religjoni grek janë një dhe e vetme. Kjo është arsyeja kryesore se pse kisha është një institucion konservator dhe njerëzit brenda saj janë zakonisht konservatorë që kanë frikë ndaj hapjes, ose madje e shohin teknologjinë si djallëzore,” thotë Papageorgiou.
Angeliki Ziaka, një asistente profesore në historinë e religjioneve në të njëjtin universitet, tha se priftërinjtë që kanë qëndrime haptazi raciste përfaqësojnë vetëm disa tendenca brenda kishës, por komentet e tyre publike bëjnë që ata “të dëgjohen më shumë se sa ata që punojnë në heshtje dhe prodhojnë punë me përfitime domethënëse”.
Një nga priftërinjtë që është ngritur kundër ksenofobisë është 55 vjeçari At Prokopios Petridis, ndihmëspeshkop në Mitropolitin e Nikeas në Athinë. Deri më 2009, ai qe ndihmësprift në kishën e Agios Panteleimonas në lagjen me të njëjtin emër të Athinës, lagje që ka një popullsi të madhe emigrantësh.
Kjo zonë është gjithashtu bastion i partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë. Në fund të vitit 2007. Një grup të rinjsh – të cilët më pas rezultuan se qenë anëtarë të Agimit të Artë – shkuan në kishë dhe i kërkuan At Prokopios të nënshkruajë një peticion ku kërkohej përzënia e të huajve nga kjo zonë.
“Unë iu përgjigja se si prift unë nuk mund të bëj diçka të tillë,” tha Petridis, i rrethuar nga kotele në apartamentin e tij, i cili është dekoruar edhe me shumë ikona kristiane.
Unë fillova të citoj Ungjillin sipas Shën Gjonit: “Një urdhër të ri ju jap juve: Duajeni njëri-tjetrin. Siç ju dua unë, kështu ju duhet të doni njëri-tjetrin.”
Ekstremistët e djathtë filluan një fushatë të egër kundër At Prokopios. “Filluan shpifjet dhe sulmet verbale. Ata kërcënuan se do të vinin në meshën e së dielës dhe do të shkaktonin trazira,” rikujtoi ai. “Ata më sulmuan mua me fjalë në rrugë. ‘Ik nga këtu. Ti ke sjellë të huajt këtu!’”
At Prokopios tha se ai mori vetëm mbështetje “të heshtur” nga kryepeshkopi dhe asnjë fjalë të mirë nga priftërinjtë e tjerë të kishës së tij.
“Unë mbeta tërësisht vetëm por kisha njerëz të zakonshëm që më mbështesnin,” tha ai.
Të ofrosh strehë
Kisha Orthodokse Greke si institucion ka shumë pak projekte specifike për të mbështetur refugjatët dhe migrantët. Por Haris Konidaris, zëdhënës i Kryepiskopatës së Athinës, zyra qëndrore e kishës, vëren se njerëz të tillë janë mes mijërave që marrin ndihmë ditore nga kuzhinat e supës për të varfërit të organizuara nga kishat nëpër të gjithë Greqinë.
Gjithashtu, në qershor të këtij viti, kisha themeloi organizatën bamirëse Apostoli dhe, sëbashku me një rrjet ndërkombëtar organizatash bamirëse të Kristianëve Orthodoksë, restauroi një qendër për njerëzit që mbërrijnë në ishullin e Kosit.
Punëtorët instaluan dushe dhe modernizuan sistemin elektrik në qendër, ku 500 njerëz banonin në një strehë që kishte kapacitet për 110 njerëz. Ata shpërndanë gjithashtu kuti higjenike dhe çanta shkolle.
Një iniciativë afatgjatë e kishës për të ndihmuar refugjatët është një strehë për fëmijët që arrijnë në Greqi pa prindër. Ajo drejtohet nga organizata bamirëse Apostoli në lagjen Agios Dimitrios të Athinës. Që kur streha u hap më 2011, ajo i ka dhënë shpëtim 168 minorenëve.
Vasiliki Giamali, një punonjës social që menaxhon strehën, shpjegoi se ndërtesa i përket një kishe të zonës. Streha merr fonde nga qeveria e Greqisë dhe nga kryedioqeza e Athinës. Shumica e banorëve të saj shkojnë në shkolla për fëmijë nga kultura të ndryshme. Në strehë, psikologë dhe punonjës socialë i mësojnë atyre për të drejtat dhe përpiqen t’i ribashkojnë ata me familjet e tyre.
“Aktualisht ne po japim strehë për 19 djem të moshës 13 deri në 18 vjeç,” tha ajo. “Shumica e tyre vijnë nga Afganistani, Siria dhe Pakistani.”
Ali Mohammadi, një afgan në të njëzetat i cili punon si përkthyes, jetoi në strehë për dy vjet. Babai i tij, një zyrtar i qeverisë, qe vrarë nga Talebanët. Mohammadi iku nga vendi i tij në moshën 9 vjeçare bashkë me vëllain e tij dhjetëvjeçar. Ata jetuan për pothuajse gjashtë vjet në Iran duke punuar në një fabrikë mermeri, por Mohammadi ëndërronte gjithmonë që të mbërrinte në Europë. Më 2011, ai kaloi në Turqi dhe mori një varkë për të kapërcyer lumin Evros për të hyrë në Greqi.
Mohammadi, i cili është i gjatë dhe i hollë me balluke që i bien mbi sy, lavdëroi strehën dhe tha se aty askush nuk bën presion mbi fëmijët për t’u konvertuar në kristianë.
“Megjithëse është një institucion i drejtuar nga kisha, askush nuk ka folur kurrë mbi kristianizmin. Ne jemi të lirë të ikim dhe të lutemi në xhamitë e improvizuara në Athinë,” tha ai.
Rol minor për kishën serbe
Shumica dërrmuese e refugjatëve dhe migrantëve që mbërrijnë në Greqi, vijojnë udhëtimin drejt Europës perëndimore duke kaluar përmes Maqedonisë dhe Serbisë në Hungari, duke shkelur kështu në zonën e qarkullimit të lirë Shengen të Bashkimit Europian.
Më shumë se 155 mijë migrantë kaluan në Hungari përmes Serbisë në tetë muajt e parë të këtij viti,sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex.
Kryeqyteti i Serbisë, Beograd, u bë një pikë e rëndësishme ndalimi në këtë shteg të Ballkanit perëndimor, ku me mijëra njerëz janë ngjeshur në tenda të vogla nëpër parqet përreth stacioneve të trenit dhe autobuzëve.
Por, njësoj si në Greqi, Kisha Orthodokse Serbe nuk ka qenë në qendër të përpjekjeve për të ndihmuar refugjatët dhe migrantët. Shumica e ndihmës ka ardhur nga një koalicion organizatash bamirëse, biznesesh dhe vullnetarësh.
Njësoj si homologët e tij në Greqi, At Branislav Jocic, ndihmësdrejtor i degës për bamirësi të kryedioqezës së Beogradit, vërejti se kisha ofron ndihmë për njerëzit në nevojë që kanë të shkuar shumë të larmishme.
“Çdo ditë, në kuzhinën me supë të kishës, ne dhurojmë 1,800 vakte jo vetëm për migrantët por edhe për të papunët se serbët e varfër,” tha At Branislav.
Ai tha se Kisha Orthodokse Serbe nuk është mjaftueshëm e pasur për të bërë më shumë për migrantët. “Ne nuk refuzojmë të ndihmojmë, por nuk kemi fonde,” tha ai.
Ekspertët vërejnë gjithashtu dallimet në traditë dhe në këndvështrim për të shpjeguar se Kisha Orthodokse ka tendencën të jetë më pak e angazhuar në punën me refugjatët dhe emigrantët se sa, për shembull, kishat dhe organizatat bamirëse protestante.
“Protestantizmi është më i hapur për shkak të pluralizmit që ka përbrenda. Ne e shohim këtë në Gjermani, Angli apo vendet Nordike. Puna shoqërore që ajo zhvillon është më e organizuar dhe ajo ka luajtur një rol aktiv në lindjen e shoqërisë moderne,” thotë Niki Papageorgiou nga Universiteti Aristotel i Selanikut.
Martin Dutzmann, një zyrtar i lartë i Kishës Evangjelike të Gjermanisë, thotë se thirrja për t’i shërbyer të varfërve dhe të shtypurve është veçanërisht e fortë mes Kristianizmit Evangjelik. Kishat evangjeliste gjermane janë gjithashtu të motivuara nga kujtimet e epokës Naziste, tha ai.
Është në ADN-në tonë për të kuptuar se si funksionojnë këto gjëra dhe që të mos dëshirojmë që diçka e ngjashme të përsëritet. Ne ndjejmë se kemi një përgjegjësi për të ndihmuar,” tha ai në Selanik, gjatë një udhëtimi për të vizituar kampet e refugjatëve në Greqi dhe Maqedoni.
Dutzmann vërejti gjithashtu se kishat në vendet e pasura si Gjermania kanë më shumë fonde në dispozicion se sa ato në Ballkan.
“Ne kemi mundësi të ofrojmë ndihmë,” tha ai.
Kujdes pastoral
Zona përreth qytetit të Suboticës, 160 kilometra në veri të Beogradit, është ndalesa e fundit në Serbi për njerëzit që ndjekin shtegun e Ballkanit. Ajo u bë qendër e vëmendjes së medias pasi Hungaria ndërtoi një gardh përgjatë kufirit me Serbisë për të ndaluar refugjatët dhe migrantët të kalonin në BE.
Tibor Varga, një pastor protestant në Subotica për 25 vjet, e ka bërë mision të vetin të ndihmojë migrantët dhe refugjatët. Ne u takuam me të në një fabrikë tullash të braktisur në periferi të qytetit, ku njerëzit po pushojnë para se të përpiqen të kalojnë kufirin. Varga kishte në kokë një kapele bejsbolli dhe veshje sportive.
“Unë vij në fabrikë dy apo tri herë në javë, madje edhe përditë nëse është e nevojshme. Unë dua të flas me refugjatët dhe të dëgjoj historitë e tyre. I ofroj atyre ushqim, veshje, shtroje, të gjitha falë donacioneve,” tha ai. Vullnetarët nga organizata ndërkombëtare bamirëse Medecins Sans Frontieres vizitojnë gjithashtu këtë vend.
Biseda u ndërpre nga një telefonatë e një fermeri, i cili kërkoi të dhurojë vezë në përpjekje për të ndihmuar.
“Iniciativa ime nuk është e organizuar, as nuk është pjesë e një plani më të gjerë nga autoritetet shtetërore,” shpjegoi Varga. Ai tha se nuk priste ndonjë financim shtetëror për përpjekjet e tij.
Pyetur nëse priftërinjtë orthodoksë në zonë po ndihmonin refugjatët në të njëjtën mënyrë, ai sugjeroi që të flasim drejtpërsëdrejti me ta. Por klerikët e tjerë refuzuan të flasin. Disa thanë se kanë nevojë për leje nga peshkopi.
Pas një pushimi të shkurtër, Varga vijoi: “Jezusi ka thënë: ‘Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë – nëse është i etur, jepi të pijë.’ Kështu, edhe nëse unë do t’i shikoja këta njerëz si armiq, do të qe detyra ime për t’i ndihmuar.”
Pak para se të ikja, unë e pyeta Vargën nëse mund ta fotografoja në kishën e tij në qendër të qytetit. Ai bëri me shenjë nga fabrika e vjetër dhe njerëzit që po laheshin me ujë pusi dhe tha:
“Kjo është kisha ime.”
BIRN