Παρασκευή 2 Μαρτίου 2018

Rritja e frikshme e të parëndësishmes


Cornelius Castoriadis(1922-1997) - Filozof
Nëse do të analizonim gjendjen aktuale sot, e cila i ngjason një situate shpërbërjeje dhe jo krize, një kalbëzimi të shoqërive perëndimore, dallojmë një kontradiktë të shkallës së parë. Ajo që kërkohet të zgjidhet është jashtëzakonisht e vështirë për tu zgjidhur. Kjo edhe për arsyen se vetë njerëzit, për shkak të natyrës së tyre dhe mënyrës se si ata riprodhohen nga shoqëritë perëndimore dhe jo vetëm, qëndrojnë shumë larg shtrirjes dhe diskutimit të problemit. 
Por cili është ky problem?
Duke pasur parasysh krizën ekologjike, pabarazinë ekstreme në shpërndarjen e burimeve midis vendeve të pasura e atyre të varfra, pamundësinë pothuajse absolute që sistemi të vazhdojë kursin e tij aktual, ajo që kërkohet është krijimi i një fillimi të ri imagjinar, rëndësia e të cilit nuk mund të krahasohet me asgjë të ngjashme në të kaluarën. Një krijim që do të vendosë në qendër të tij një botëkuptim të ri të jetës së individit, të ndryshëm nga rëndësia që i është kushtuar zakonisht rritjes së prodhimit dhe konsumit. Në këtë mënyrë do të fillojnë të ekzistojnë synime të tjera jetësore, për të cilët njerëzit nuk do të pendohen më vonë për tu përkushtuar në realizimin e tyre. Natyrisht, kjo do të kërkonte ç’organizimin e institucioneve të shoqërisë, të marrëdhënieve të punës, si dhe më tej të marrëdhënieve ekonomike, politike e kulturore. 
Megjithatë ky propozim ndodhet jashtëzakonisht larg nga mënyra se si sot njerëzit mendojnë dhe dëshirojnë. Është pikërisht kjo vështirësi kolosale me të cilën ne duhet të përballemi. Do të ishte e nevojshme të synojmë një shoqëri ku vlerat ekonomike nuk do të mbajnë më monopolin kryesor, ku ekonomia të rimerrte rolin e saj si një prej mjeteve që individi disponon për të mbijetuar dhe jo si qëllim në vetvete, një shoqëri në të cilën do të kemi hequr dorë prej babëzisë për të rritur vazhdimisht dhe në mënyrë të çmendur forcën e konsumit. Ky synim nuk është i nevojshëm vetëm për të shmangur shkatërrimin e sigurt të ambientit të Tokës, por gjithashtu do të ndihmonte në ndaljen e mjerimit intelektual dhe moral të individëve sot. 
Nga ky moment do të duhej që njerëzit, kryesisht në vendet e pasura, të pranojnë një standard të denjë dhe të thjeshtë jetese, dhe të heqin kështu dorë nga ideja se qëllimi jetësor i tyre është rritja e vazhdueshme e konsumit me 2 ose 3 përqind në vit. Që njerëzit ta pranojnë këtë lind nevoja të ndodhë diçka tjetër, e cila do t’i jepte kuptim jetës së tyre. Megjithatë, jemi koshientë për vështirësinë e realizimit të këtij synimi për sa kohë që shumica dërmuese e botës nuk do tapranonte një risi të tillë. Dhe kjo gjëja tjetër që përmendëm më lart lidhet me nevojën e zhvillimit të vetë njerëzve dhe jo me rritjen e vazhdueshme të palo-produkteve. Realizimi i këtij synimi do të kërkonte një organizim të ndryshëm të punës, e cila nuk do të ishte më një proces i përditshëm rutine, por do të pasqyronte kapacitetet individuale të vetë punëtorëve. Do të nevojitej, gjithashtu, një sistem tjetër politik, një demokraci e vërtetë që do të bazohej në pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në vendimmarrje, si dhe një organizim i ri i arsimit, i cili do të formonte qytetarë të aftë sipas filozofisë së Aristotelit. 
Është e kuptueshme se të gjitha këto çojnë në pyetje dhe probleme të tjera. Si mund të funksionojë një demokraci e vërtetë dhe e drejtpërdrejtë në vende që nuk kanë më në gjirin e tyre 30 mijë banorë, si në rastin e Athinës së lashtë, por banohen nga më shumë se 40 milionë qytetarë, fjala vjen në Francë, ose nga miliarda njerëz kur flasim në shkallë planetare? Janë probleme me vështirësi kolosale për tu zgjidhur, përveç se në rastin kur shumica dërmuese e individëve, së bashku me kapacitetet e tyre, të ndërgjegjësohen për të ecur drejt rrugëve të zgjidhjes së problemeve dhe jo të vazhdojnë të shqetësohen se kur do të blejnë televizorin e ri tre-dimensional. 
Këto janë detyrat kryesore që duhet të ndjekim, edhe pse tragjedia e kohës sot na tregon se njerëzimit nuk i bëhet fare vonë për to. Për sa kohë do të vazhdojë njerëzimi të joshet nga budallallëku dhe iluzioni, të përmbledhura këto nën petkun e produkteve dhe mallrave? A do të mundej që një shkatërrim, për shembull ekologjik, të provokonte ndërgjegjësim e dhunshëm të masave, apo do të çonte në forcimin e regjimeve autoritare e totalitare? Askush nuk mund t'u përgjigjet pyetjeve të tilla. Ajo që mund të themi me saktësi është se ata që ndjehen koshientë për rëndësinë jetësore të këtyre çështjeve të jenë në gjendje të flasin dhe të kritikojnë rrugën që sot po na çon çmendurisht drejt greminës, dhe në këtë kontekst të ndihmojnë në shtrirjen e ndërgjegjësimit tek bashkëqytetarët e tyre. 
Shpërbërja bëhet akoma më e prekshme kur shohim zhdukjen e kuptimeve dhe rënien absolute të vlerave. Në aspektin afatgjatë, kjo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetëgjatësinë e vetë sistemit. Kur secili e thotë me zë të lartë, siç ndodh sot në shoqëritë perëndimore, se vlera e vetme është paraja e fitimi dhe se ideali më i shenjtë për kohezionin social lidhet me pasurimin e vazhdueshëm, atëherë lind pyetja se a do të mundë vallë një shoqëri të vazhdojë të funksionojë dhe të riprodhohet mbi një konstrukt të tillë? Nëse do të ishte kështu, atëherë nëpunësit duhet të kërkojnë dhe të pranojnë bakshishe për të bërë punën e tyre, gjykatësit të nxjerrin vendimet në ankand, arsimtarët të vlerësojnë maksimalisht fëmijët e të pasurve, e kështu me radhë. Para pesëmbëdhjetë vitesh pata shkruar se e vetmja pengesë për njerëzimin është frika nga ndëshkimet penale. Por në bazë të cilës logjike do të jenë në gjendje ndëshkuesit të qëndrojnë të pa korruptuar? Cili do të ruajë rojet? Korrupsioni i përgjithshëm që vihet re në sistemin politiko-ekonomik bashkëkohor nuk është ndonjë rast i veçuar e as shaka pa kripë, por përkundrazi përbën karakteristikë strukturore endogjene të sistemit të shoqërisë në të cilën ne jetojmë.
Këtu preket një tjetër faktor themelor, i cili ka qenë i njohur në gjirin e ekspertëve politikë të së kaluarës, por tërësisht i panjohur sot për gjoja filozofët politikë, sociologët e këqij dhe teoricienët mjeranë. Ky faktor është lidhja e ngushtë që ekziston midis një regjimi shoqëror, nga njëra anë dhe tipit antropologjik i nevojshëm për funksionimin e sistemit, nga ana tjetër. Pjesën më të madhe të tipeve antropologjike kapitalizmi i ka trashëguar nga periudhat pararendëse historike, sigjykatësin indiferent, nëpunësin veberian, arsimtarin e përkushtuar, si dhe punëtorin për të cilin puna përbënte një burim krenarie, pavarësisht nga kushtet ku ai punonte. Por këto lloj figurash janë bërë të pakuptimta në periudhën ku ne jetojmë sot. Edhe tipi antropologjik që përbën në vetvete pjellën e kapitalizmit, pra biznesmeni shumpeterian, i cili ndërthur kreativitetin teknik, me kapacitetin e akumulimit të kapitalit dhe funksionimit të biznesit, i aftë në studimin, penetrimin dhe çeljen e tregjeve, përbën sot një specie në zhdukje. Dhe jo vetëm kaq, por po zëvendësohet nga burokratë drejtues dhe spekulatorë bursash. 
Përse duhet të vuajë e të mundohet dikush në procesin e prodhimit e të shitjes, kur me një lëvizje të saktë në tregjet e bursave mund të fitojë 500 milion dollarë për vetëm disa minuta? Shumat financiare që luhen në spekulimin e këtyre tregjeve çdo javë e kalojnë edhe GDP-në vjetore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rezultati që shohim është hapja e shtratit për profesionin e spekulantit, i cili sipas këndvështrimit të vetë sistemit kapitalist përbën një qenie krejtësisht parazite.
Nëse bëjmë përmbledhjen e të gjithë faktorëve të mësipërm dhe marrim parasysh shkatërrimin e pashmangshëm të ambientit, si rezultat i evoluimit të kapitalizmit, duhet dhe kemi detyrën të bëjmë pyetjen se për sa kohë akoma do të jetë në gjendje të mbahet në këmbë ky sistem?
Përkthimi: Jordan Jorgji/Lektor në Universitetin “Fan Noli” të cilin e falenderojmë për dërgimin e materialit

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Ενισχύστε οικονομικά την προσπάθεια μας!

Ετικέτες

ενημέρωση (2161) ενημέρωση-informacion (1487) Αλβανία (907) ορθοδοξία (422) ιστορία-historia (399) Εθνική Ελληνική Μειονότητα (366) ελληνοαλβανικές σχέσεις (312) ορθόδοξη πίστη - besimi orthodhoks (280) Εθνική Ελληνική Μειονότητα - Minoriteti Etnik Grek (258) Β Ήπειρος (240) ορθοδοξία-orthodhoksia (239) ορθόδοξη πίστη (222) εθνικισμός (195) διωγμοί (162) Κορυτσά-Korçë (122) τσάμηδες (122) shqip (119) Κορυτσά Β Ήπειρος (109) informacion (100) Αρχιεπίσκοπος Αναστάσιος (97) ορθόδοξη ζωή (96) ορθόδοξη ζωή- jeta orthodhokse (76) διωγμοί - përndjekje (62) ορθόδοξο βίωμα (59) εθνικισμός-nacionalizmi (58) ορθόδοξη εκκλησία της Αλβανίας (55) Ελλάδα-Αλβανία (48) Ι.Μ Κορυτσάς - Mitropolia e Shenjtë Korçë (47) ανθελληνισμός (44) πολιτισμός - kulturë (44) Ελληνικό Σχολείο Όμηρος (43) Γενικό Προξενείο Ελλάδος Κορυτσά (41) besimi orthodhoks (40) Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας - Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare (40) ιστορία ορθοδοξίας (36) βίντεο (35) Shqipëria (32) ΕΠΑΝΑΣΤΑΣΗ 1821 (32) κομμουνισμός- komunizmi (30) πνευματικά (27) Μητρόπολη Κορυτσάς - MItropolia e Korçës (24) πολιτική-politikë (24) απόδημος ελληνισμός-helenizmi i diasporës (22) αλβανικά (21) εκπαίδευση (21) Αρχαία Ελλάδα (20) helenët-Έλληνες (19) κομμουνισμός (19) Greqia (17) Βλαχόφωνοι Έλληνες (15)