Κυριακή 4 Φεβρουαρίου 2018

E Diela e Djalit Plangprishës

 Αποτέλεσμα εικόνας για κυριακή ασώτου
Për të pritur së më mirë periudhën e Kreshmëve të mëdha që fillon pas dy javësh, Kisha e Shenjtë ka caktuar një periudhë parapërgatitore që ka filluar të dielën e kaluar ku kujtuam Paravolinë e “Tagrambledhësit dhe Fariseut”, ndërsa këtë të diel na kujton një paravoli tjetër shumë të rëndësishme, atë të “Djalit Plangprishës”. Të dy këto paravoli na jepen në Ungjillin sipas Llukait dhe përmbajnë mësime shumë të vyera shpirtërore dhe morale.
Një atë i Kishës ka thënë se edhe po të humbte i gjithë Shkrimi i Shenjtë dhe të shpëtonte vetëm kjo paravoli, do të ishte e mjaftueshme për të kuptuar dhe për të ndjerë madhështinë e Atit qiellor, mirësinë dhe madhështinë e tij. Kjo paravoli konsiderohet edhe si Ungjilli i Ungjijve.
Një njeri kishte dy bij. Edhe më i vogli nga ata i tha të atit: Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon të marr. Edhe ai ua ndau pasurinë. Edhe pas pak ditësh më i vogli mblodhi gjithë ç’pati, e iku në dhe të huaj në një vend të largët; dhe atje shpërndau pasurinë e tij duke shkuar jetë plangprishësi. Edhe si i prishi ai të gjitha, u bë një zi e madhe në atë vend, dhe ai zuri të mos kishte më. Atëherë shkoi e u ngjit pas një qytetari të atij vendi; dhe ky e dërgoi në arat e tij të kulloste derra. Edhe dëshironte të mbushte barkun e tij me lendet që hanin derrat; po askush nuk i jepte. Edhe si erdhi në vete, tha: Sa punëtorëve të tim eti u tepron bukë e unë po humbas nga uria! Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga punëtorët e tu. Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe kur ai ishte ende larg, i ati e pa dhe i erdhi keq, dhe u sul dhe e përqafoi atë, dhe e puthi. Edhe i biri i tha: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Po i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni jashtë stolinë e parë dhe vishjani, dhe i vini unazë në dorë dhe këpucë në këmbët. Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të gëzohemi. Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet. Edhe zunë të gëzoheshin. Edhe djali më i madh ishte në arë; dhe kur erdhi e u afrua në shtëpi, dëgjoi këngë e valle. Edhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeste: Ç’janë këto. Edhe ai i tha se ka ardhur yt vëlla, dhe yt atë theri viçin e ushqyer, sepse e priti të shëndoshë. Edhe ai u zemërua dhe nuk donte të hynte brenda. I ati pra doli, e i lutej. Edhe ai u përgjigj e i tha të atit: Ja tek po të shërbej kaq vjet, dhe kurrë nuk dola nga urdhëri yt; dhe kurrë nuk më dhe një kec, që të gëzohem bashkë me miqtë e mi. Po kur erdhi ky yt bir që hëngri pasurinë bashkë me të përdalat, i there viçin e ushqyer. Edhe ai i tha: O djalë, ti je përherë bashkë me mua, dhe gjithë të miat janë të tuat. Edhe duhej të gëzoheshim e të ngazëlloheshim, sepse ky yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet (Llk. 15:11-32).
Në këtë histori marrin pjesë tre personazhe, babai dhe dy djemtë e tij, të cilët do t’i analizojmë duke filluar nga më i vogli.
I ri, i fortë, me ëndrra për jetën, me guxim dhe frymë revolucionare nga ata që duan të ndryshojnë botën, si edhe shumë prej nesh që jemi të pranishëm në Kishë. Por, duke qenë i ri e pa përvojë ra shumë lehtë në gabim, madje në gabime të njëpasnjëshme: u largua nga familja, pasurinë e harxhoi duke bërë një jetë imorale, mbeti i vetëm, i zhveshur, i uritur, pa shtëpi. Ajo që mendoi se do t’i sillte liri, gëzim, përparim dhe vetë parajsën i sollën të kundërtën, varfëri, skamje, uri dhe vetë ferrin për së gjalli.
Por çfarë i ndodhi djalit të vogël?
Në këtë moment shumë kritik të jetës së tij, i ndodhur në një mejrim të skajshëm ai erdhi në vete dhe vendosi të shkojë përsëri tek Ati e t’i kërkojë të falur. “O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga punëtorët e tu” (Llk. 15:18-19). Këtu shohim pendimin e sinqertë dhe të thellë të djalit të vogël sepse nuk kërkoi që i ati ta pranonte si bir, por si punëtor. Nëpërmjet pendimit të vërtetë ai fitoi lavdinë që kishte më parë si bir i Atit duke i veshur rrobën më të mirë, duke i vënë unazën në dorë dhe duke bërë një festë të madhe.
Personazhi i dytë është djali i madh, i cili ishte i mirë, i urtë, punëtor, pa fjalë, pa pretendime, i bindur ndaj Atit, nuk qe larguar asnjëherë nga familja. Një djalë të tillë, me kaq virtyte kushdo do të donte ta kishte të tijin. Por kur mori vesh se vëllai i vogël qe kthyer dhe po bëhej festë, u revoltua dhe nuk donte të hynte në shtëpi.
Ndërsa Ati që është edhe personazhi i tretë i paravolisë së sotme tregohet i dhembshur, i dashur, i gatshëm të falë gabimet e bijve të tij. Ai madje qëndronte në pritje dhe shpresonte që djali i vogël të kthehej një ditë dhe kur e pa të kthehej, pavarësisht moshës së thyer, vrapoi që ta përqafojë e ta pranojë përsëri në shtëpinë atërore. Gjithashtu edhe djalin e madh e këshilloi që të gëzohej dhe të merrte pjesë edhe ai në gëzimin familjar për kthimin e vëllait më të vogël.
Të dashur besimtarë
Kisha është familja jonë e madhe. Ati është Perëndia ynë dhe të gjithë ne sipas veprave që kryejmë i ngjasojmë djalit të madh ose atij të vogël. Kur ne largohemi nga Perëndia për të kënaqur dëshirat tona egoiste, i ngjajmë djalit të vogël dhe shumë shpejt konstatojmë se kemi mbetur vetëm larg Perëndisë, të zhveshur nga hiri i tij hyjnor dhe të uritur për ushqimin shpirtëror.
Por edhe djali i madh, me gjithë virtytet që e karakterizonin, kishte edhe ai të metat e tij. Ai gjykoi gabim. Ai kishte qëndruar gjithmonë pranë Atit, por nuk kishte mësuar nga dashuria e tij, madje ungjillor Llukai nuk na thotë nëse hyri në shtëpi apo jo megjithëse Ati e ftoi. 
Edhe ne vazhdimisht jemi në shtëpinë e Zotit, por edhe ne gjykojmë keq, gjykojmë të tjerët që janë pranë nesh si njerëz mëkatarë, në një kohë që edhe bëjmë të njëjtat gabime e mëkate. Shumë prej nesh fatkeqësisht i ngjajmë djalit të madh.
E megjithatë, Ati, Perëndia ynë na mëson t’i duam dhe t’i pranojmë të gjithë me dashuri e dhembshuri.
Të dashur besimtarë
Paravolia e sotme na mëson se Ati është Perëndia, shtëpia është Kisha, djali i madh dhe ai i vogël jemi të gjithë ne sipas veprave që kryejmë.
Perëndia është i gatshëm të na pranojë të gjithëve në shtëpinë e tij të shenjtë, të marrim pjesë në gëzimin e tij, në festën e tij që janë misteret e shenjtë që kryhen në Kishë. Mjafton që ne të jetojmë me pendim dhe të mos gjykojmë vëllezërit tanë. Të gjithë ne jemi të mëdhenj e të vegjël jemi bij të të njëjtit Atë dhe Perëndia pret me durim që të gjithë ne të kthehemi tek Ai.
Le të përgatitemi të dashur vëllezër e motra, që të jetojmë me pendim të sinqertë në zemrat tona, duke kërkuar falje dhe duke falur njëri-tjetrin, që të hyjmë edhe ne në gëzimin e Atit. Amin.

Përgatiti:
+ Atë Spiro Kostoli

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου