Τρίτη 12 Δεκεμβρίου 2017

Shën Spiridhoni dhe rrugëtimi i trupit të tij nga Kostandinopoja në Krujë, Durrës e deri në Korfuz

 Nga  Miron Çako
Shën Spiridhoni, një shenjtor i madh dhe mrekullibërës i Kishës Orthodhokse, lindi në Trimithundë të Qipros në vitin 270 nga prindër besimtarë dhe të pasur. Emri Spiridhon nënkupton nga greqishtja “një shportë me të mira”. U martua, por shpejt mbeti i ve. Për shkak të besimit dhe jetës së tij të shenjtë, banorët këmbëngulën të bëhej prift dhe më vonë episkop i Trimithundës së Qipros. U tregua bari (episkop) i vërtetë për delet (besimtarët) e Zotit. Për hir të përulësisë dhe përdëllimit ndaj të afërmit, Zoti e stolisi me shumë dhurata dhe veçanërisht me atë të mrekullibërjes. Me lutjet e tij u bënë shumë mrekulli që kanë mbetur të paharruara në memorien e krishterë. Në Sinodin e Parë Ekumenik në Nike, në vitin 325, shën Spiridhoni i çuditi të gjithë etërit e shenjtë me mrekullinë që bëri në sy të tyre (318 etër) dhe turpëroi Ariosin heretik dhe pasuesit e tij, të cilët mohonin Trininë e Shenjtë. Ai u shfaq para Ariosit dhe i tha: “Pse nuk beson që Perëndia është një në tre Persona!? Ja ta tregoj”. Dhe mori një tjegull dhe i tha:
– Sa kam në dorë?
– Një tjegull,- iu përgjigj Ariosi.
– Atëherë, shiko!
Dhe shën Spiridhoni bëri kryqin dhe tha: “Në emër të Atit”- dhe nga tjegulla doli zjarr; pastaj “në emër të Birit”- dhe nga tjegulla doli ujë dhe ra poshtë; “dhe të Shpirtit të Shenjtë.” – dhe në dorë i mbeti argjila. “Kështu si kjo tjegull, që ishte një, por në tre elemente: zjarr, ujë dhe argjilë; kështu dhe Perëndia është një në tre Hipostaza (Persona).
Kjo mrekulli qe vula e Sinodit I Ekumenik që mbrojti doktrinën trinitare të Perëndisë dhe Hyjninë e Krishtit si Biri i vetëmlindur nga Ati, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë. Për këtë arsye shën Spiridhoni pikturohet në ikona me një tullë në dorë të shpërbërë në tre element.
Shenjti bëri dhe shumë mrekulli të tjera, sipas sinaksarit ai shëroi perandorin Konstand (337-361), djalin e Kostandinit të Madh, nga një sëmundje e pashërueshme. Ngjalli birin e një vejushe, e cila, kur pa djalin e saj të gjallë, vdiq nga gëzimi; shenjti u lut përsëri dhe ngjalli nënën e djalit. Thirri nga varri të bijën, Irinin, që i vdiq papritur, që ajo t’i tregonte se ku e kishte vendosur byzylykun e artë të një fqinje, e cila ia kërkonte shenjtorit. E vdekura iu përgjigj nga varri dhe i tregoi vendin se ku e kishte vendosur stolinë. Pastaj shën Spiridhoni i tha: “Fli në paqe, bija ime, deri në ngjalljen e të vdekurve!”. Ndaloi rrjedhën e lumit për të kaluar. Zbulonte mëkatet e fshehta të njerëzve dhe i nxiste të pendoheshin. Kur meshonte, e ndihmonin në mënyrë të dukshme engjëjt që psalnin bashkë me të. Kthehu një gjarpër në flori dhe ia dha si peng një të pasuri për të shpëtuar një të varfër, që i kishte borxh të pasurit. Kur i varfri ia ktheu borxhin të pasurit, e mori gjarprin e florinjtë përsëri dhe me lutjet e shenjtit u kthye përsëri i gjallë dhe u fut në vrimën nga kishte dalë. Zgjidhi nga lidhjet e padukshme disa hajdutë që donin t’i vidhnin kopenë që e mbante për ekonominë e kishës, por mbetën të paralizuar gjithë natën. Në mëngjes, kur i gjeti ashtu, i zgjidhi me lutjen e tij dhe i këshilloi të mos vidhnin më, madje iu dha nga një dash si shpërblim për mundimin dhe ankthin e tyre.
Mbasi bëri shumë mrekulli, (vdiq) fjeti në Zotin, më 12 dhjetor të vitit 348 në Trimithundë. Lipsani (trupi) i tij mbeti i paprishur dhe mbante aromë të mirë, si një shenjë e shenjtërisë së tij të madhe. Në shekullin VII pas Kr, trupi i paprishur u vendos në Kostandinopojë deri në vitin 1453; por, kur më 29 maj 1453 Sulltan Mehmet II me ushtrinë e tij të madhe pushtuan Kostandinopojën, që ai e mbiquajti Instambul nga britmat e bizantinëve që thoshin për ushtrinë osmane që hyri në qytet: Is tin poli (brenda në qytet).
Kryeqyteti i Perandorisë Bizantine me 1100 vite mbretërie që nga koha e Kostandinit të Madh (337-361), i cili me një vizion nga një engjëll e ndërtoi në një vend të quajtur Bizant, Romën e Re (Nova Roma) për nder të nënës së Zotit; ky vend u inaugurua më 11 maj të vitit (330) pas Kr dhe mori emrin e Kostandinit: Kostandinopoli (qyteti i Kostandinit).
Në atë qytet madhështor ishin grumbulluar prej shekujsh thesaret dhe kulturat e gjithë botës së krishterë. Për tri ditë e net qyteti u la në dorë të ushtrisë barbare osmane për ta plaçkitur. Nuk mund të numëroheshin mizoritë, vrasjet, përdhunimet, plaçkitjet te popullata e krishterë, por ashtu edhe përdhosjet, shkatërrimet e kishave, manastireve dhe e gjërave të shenjta si: ikona, enë të shenjta, lipsane shenjtorësh dhe çdo vepër arti. Vetë Mehmeti II, kur hyri në qytet dhe pa pasojat e plaçkitjes, u pendua që e kishte lënë qytetin të shkatërrohej. Kisha e Shën Sofisë, vepër monumentale e Justinianit (482- 565), e ndërtuar gjatë viteve 532-537, që kushtoi më shumë se 145050 kg arë dhe ku shërbenin 500 priftërinj që në librin e Prokopit, ai shkruan: “Shën Sofia shkëlqen me një vezullim kaq mahnitës, sa njeriu do të thoshte se ajo nuk ndriçohet nga rrezet e diellit, por e mban në vetvete burimin e dritës”; me urdhër të Mehmetit, ajo u kthye në xhami.
Edhe lipsani i shën Spiridhonit rrezikohej të përdhosej. Sinaksari tregon se një prift i devotshëm, Grigori Paramithai, me origjinë nga Epiri, u vesh si fshatar dhe e ngarkoi lipsanin e shën Spiridhonit dhe të agustës (mbretëreshës) Theodhora të fshehur në një karrocë me bar dhe kaloi portën e qytetit pa u diktuar nga turqit. Duke kaluar nga rruga Egnatia që lidhte Lindjen me Perëndimin, lipsani i shën Spiridhonit erdhi në territoret e Epirit dhe Arbërit.
Një traditë, e ruajtur në ndërgjegjen e besimtarëve dhe e transmetuar gojarisht deri më sot, thotë se lipsani i shenjtorit qëndroi për disa kohë në qytetin e Krujës, qytet i çliruar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu më 28 nëntor 1453. Kruja ishte një qytet me traditë të lashtë të krishterë, me shumë kisha, thuajse kishte 365 kisha, sa ditët e vitit. Po ashtu princi i kastriotajve, Gjergji dhe udhëheqësi i popullit Arbëror ishte krishterë i devotshëm i ritit lindor orthodhoks, dhe kishin një lidhje shpirtërore me Patriarkanën e Kostandinopojës dhe Malin e Shenjtë (Athosin), të cilit i ati Gjon Kastrioti i kishte dhënë dy fshatra nga principata e tij, madje dhe Reposhi, vëllai i Gjergjit, ka qenë murg në Athos, vdiq 25 korrik 1431 dhe u varros aty në manastirin orthodhoks të Ilandarit. Shën Nifoni, patriarku i Kostandinopolit, “vëllami i Skënderbeut” (1482 – 1486), ka shërbyer si prift dhe atë shpirtëror në Krujë deri në vitin 1466, dy vjet para vdekjes së Skënderbeut.
Vendi ku u vendos dhe qëndroi i mbrojtur lipsani i shën Spiridhonit ishte mali i Krujës në një shpellë, që sot njihet si teqeja e Sarisalltikut. Kjo vërtetohet nga fakti se krutanët (bektashinj), në shtëpitë e tyre mbajnë ikonën e shën Spiridhonit, me rroba kryepriftërore ngjyrë jeshile e me kryqe dhe e quajnë Sarisalltiku dhe e festojnë në 12 dhjetor, në ditën e shën Spiridhonit.
Gojëdhënat që qarkullojnë edhe sot e kësaj dite thonë, se Sari Salltëku vrau një kuçedër, duke shpëtuar vajzën e princit të Krujës dhe çliroi ujin e qytetit, ndërkohë gjurmë këmbe misterioze në shkëmb tregojnë se me tre hapa Sari Salltëku ka kaluar në Korfuz ku atje ka edhe varrin. Kjo legjendë ka një gërshetim ngjarjesh edhe personash. E para lidhet me shën Gjergjin, i cili njihet si luftëtar i krishterë që vrau kuçedrën edhe shpëtoi vajzën e mbretit. Por shën Gjergji ka jetuar në shekullin III dhe është martir i madh, që u martirizua për Krishtin në Antioki nga perandori romak Dioklecian (284-305).
Por ajo që lidh shën Gjergjin me Krujën është fakti se edhe emri i Skënderbeut ishte Gjergj dhe shën Gjergji ka qenë shenjti mbrojtës i Gjergj Kastriotit, zot i arbërit, frymëzues dhe udhëheqësi i shqiptarëve kundër turqisë, e cila personifikohej me kuçedrën që kërkonte të vriste vajzën e Mbretit Krishtit (Kishën) dhe qytetërimin e krishterë). Shqiptarët i lidhën kaq shumë kujtimet e këtyre, sa Gjergj Kastrioti kujtohej në ditën e shën Gjergjit 23 prill. Ky nderim për shën Gjergjin vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe festohet si shenjt edhe nga shqiptarët që u konvertuan në bektashi në shekullin e XVII, një rrymë e Islamit. Bektashinjtë vetë hyrjen e tyre në Shqipëri e zbrisnin deri në figurën e dëgjuar legjendare të Sari Salltëkut. Legjenda për Sari Salltikun që ka qëndruar në shpellë për disa kohë dhe me tre hapa ka kaluar në Korfuz, të kujton shën Spiridhonin, lipsani i të cilit qëndroi deri më 1456 në shpellën e malit të Krujës dhe ka qenë mbrojtje, ngushëllim dhe mrekullibërës për ato kohë të vështira.
Pra, duket se kujtimi i këtyre dy shenjtorëve shën Gjergj dhe shën Spiridhoni ka mbetur e pashlyer në vetëdijen e krutanëve që nga koha e lavdishme e Gjergj Kastriotit edhe ka ardhur deri në ditët tona,duket i deformuar përgjatë shekujve nën ndikimin e një tjetër feje.
Meqenëse Arbëria dhe Kruja ishte vende të pasigurta nga sulmet e turqve, që përpoqën ta pushtonin me tre rrethime dhe më në fund me rrethimin e katërt të Krujës në vitet 1476-1478, në vitin 1456, prift Grigori Paramithioti e transferoi lipsanin në Durrës. Atje ka qëndruar një natë derisa e morën me anije në mëngjes, për në Korfuz (në greqisht apo Κέρκυρα, Κόρκυρα; në latinisht Corcyra; në italisht Corfù) që ishte një vend i lirë në juridiksionit e Venedikut.
Para rrezikut osman, Venediku dhe mbretëria e Napolit lidhën marrëveshje vasaliteti me Skënderbeun, prandaj për lipsanin e shën Spiriodhonit u mendua të strehohej në një vend të krishterëve orthodhoksë, afër me Epirin, por edhe më i sigurt për momentin.
Thuhet nga gojëdhënat se besimtarët që shoqëronin lipsanin, kërkuan një anije që ta çonte lipsanin në Korfuz, por kapiteni nuk pranoi sepse kishte ngarkesë për në Itali. Sapo doli në det, i kapi një furtunë e papritur që i detyroi të ktheheshin në Durrës të shkarkonin ngarkesën dhe të merrnin lipsanin dhe ta çonin në Korfuz, të shoqëruar edhe nga shumë besimtarë nga Durrësi.
Në vendin ku qëndroi lipsani për një natë, afër molit, tregtarët e Durrësit që bënin tregti në Korfuz, ndërtuan aty një kishë për nder të shenjtorit, sipas modelit të Kishës së shenjtit në Korfuz rreth viteve 1800, në krah ku sot është banka e qytetit. Kisha u prish nga regjimi ateist-komunist në vitin 1967 dhe u ndëruan aty zyrat e Alb.kontrollit. Aty në pronën historike të Kishës Orthodhokse mbas 1996 u vendos SHIK-u (Shërbimi Informativ Kombëtar) sot SHISH-i. Kisha Orthodhokse u interesua herët që kjo pronë e grabitur edhe e tjetërsuar nga dy pushtete komunist dhe demokrat ti kthehet komunitetit orthodhoks. Pavarësisht se nga AKP sot ATP-ja (Angjesia e Trajtimit të Pronave) që nga viti 2000 kjo pronë i është njohur Kishës Orthodhokse, por përsëri si shumë vonesa të tjera të tërzgjatura për të korigjuar padrejtësitë e shtetit ateist komunist kundër komuniteteve fetare dhe Kishës Orthodhokse, kjo pronë ende nuk po këthehet apo kompesohet financiarisht apo fizik sipas ligjit dhe marveshjes të Shtetit me Kishën. Do ishte një gëzim për të krishterët dhe nder për qytetin e Durësit, që përsëri të ndërtohet një kishë në kujtim të shejntorit mrekullibërës Spiridhonit, cili kur kaloj lipsani i tij dhe qëndroj një natë në Durrës, e la nga pas një bekim të përhershëm si në gjithë ato vënde të rrugëtimit të gjatë nga Kostandinopoja deri në Korfuz.
Në vitin 1590, në Korfuz u ndërtua një kishë e madhe për nder të shenjtorit, në të cilën ndodhet lipsani i tij i paprishur, që nderohet prej shekuj nga besimtarët dhe është burim mrekullish.
Për gati 1700 vjet lipsani i shën Spiridhonit është i paprishur, jo i balsamosur; është Hiri i Perëndisë që nuk e lejon të dekompozohet, ashtu si dhe lipsanet e shumë shenjtorëve të tjerë në Kishën Orthodhokse. Trupi i shën Spiridhonit ka mbetur i paprekur përgjatë shekujve. Ai ruan temperaturën e një trupi të gjallë dhe mishi është i zhdërvjellët. Fenomeni i gjendjes së lipsaneve u studiua nga shkencëtarë nga e gjithë bota, por nuk gjetën shpjegime përtej asaj të një mrekullie. Tabanët e këpucëve në këmbët e shenjtit janë gjetur të përdorura, si të veshura herë pas here. Ekziston një legjendë që shenjtori lëviz me trup në botë dhe ndihmon njerëzit në vuajtjet e tyre. Kështu, këpucët ndryshohen herë pas here, dhe ato të vjetrat shpërndahen në kisha të ndryshme dhe te besimtarët si bekim.
Edhe në Korfuz, shën Spiridhoni bëri dhe vazhdon të bëjë shumë mrekulli duke qenë edhe pika e referimit të jetës shpirtërore për popullin besimtar, por edhe për turistët e shumtë që nuk e lënë pa vizituar dhe mrekullohen e çuditen nga lipsani i tij i paprishur.
Banorët e ishullit e nderojnë në mënyrë të veçantë shenjtorin, sepse ai e ka shpëtuar shumë herë ishullin dhe banorët e tij nga fatkeqësi, sëmundje dhe nga pushtues të ndryshëm.
Në vitin 1630, i shpëtoi banorët e ishullit nga sëmundja e murtajës dhe në vitin 1855 i shpëtoi nga kolera.
Në vitin 1716, shën Spiridhoni, me anë të një mrekullie, shpëtoi ishullin nga agarinët (turqit). Ata rrethuan Korfuzin nga toka dhe deti. Rrethimi zgjati nga 24 qershor deri në 11 gusht. Ushtria agarine përbëhej nga 50.000 veta. Banorët e Korfuzit kërkuan ndërmjetimin e shën Spiridhonit, i cili iu shfaq në të gdhirë të 11 gushtit të vitit 1716. Njerëzit panë shën Spiridhonin duke mbajtur në dorë një shpatë të zjarrtë. Papritmas, në det filloi një furtunë e madhe, e cila i mbyti anijet. Kjo ngjarje e popullit u përjetësua në vargjet e këngës:
“Se Korfuzi ka të zon, shën Spiridhon;
Spiridhoni është shenjt i gjallë,
re në det e dole mbanë,
shpëtove Korfuz, kalanë.”
Ai nuk lejoji që sundimtari venecian, Andrea Pizani, të ndërtonte altar latin në kishën e tij të ritit orthodhoks. Shën Spiridhoni iu shfaq Pizanit në një ëndërr dhe i tha: “Pse më shqetësoni? Altari i besimit tuaj është i papranueshëm në tempullin tim! “Natyrisht, Pizani dhe kardinali latin nuk ndaluan. Atëherë shën Spiridhoni ndërhyri atë mbrëmje: një stuhi e tmerrshme me rrufe shkatërruan fortesën veneciane, duke bërë shumë dëme. Por fakti më i pabesueshëm ishte se në të njëjtën natë dhe orë, një tjetër rrufe ra në Venecia, në shtëpinë e Pizanit, dhe dogji portretin e tij të varur në mur.
Çuditërisht, asgjë tjetër nuk u dëmtua. Kjo ishte një ndërhyje pedagogjike e shenjtorit si mbrojtës i flaktë i Besimit dhe i Kishës Orthodhoke, që e ka ruajtur të pastër doktrinën e krishterë, që u mësua nga goja e Krishtit e u transmetua nga apostujt, u ruajt nga Etërit e shenjtë hyjmbajtës në VII Sinode Ekumenike, një ndër më të spikaturit është dhe Sinodi i I (325) ku mori pjesë dhe shën Spiridhoni.
Një tjetër mrekulli është shpëtimi i kishës së tij në Korfuz nga sulmi gjerman në vitin 1943. Asnjë predhë nuk e goditi kishën e shenjtit dhe njerëzit panë që shën Spiridhoni mbante predhat në ajër që të mos godisnin kishën.
Në kujtim të këtyre mrekullive që kanë lidhje me ishullin, bëhen katër litani të mëdha gjatë vitit për nder të shenjtorit. Kleri, populli besimtar i shoqëruar nga banorët e ishullit bashkë me shumë turistë transportojnë trupin e shenjtorit në rrugët e Korfuzit, të sëmurët shtrihen në rrugë që arka me lipsanin t’iu kalojë sipër që të shërohen dhe kleri lutet për shërimin e tyre si dhe për bekimin e ishullit, i cili vërtet ka një begati të veçantë,”pranverë të përhershme” me bekimin e shenjtorit të gjallë. Shën Spiridhoni shëron të sëmurët, çliron besimtarët nga vuajtjet e tyre, ndihmon në kapërcimin e vështirësive dhe situatave të vështira. Ndihma e shpejtë e shën Spiridhonit është e njohur nga gjithë besimtarët në mbarë botën, të cilët e nderojnë kujtimin e tij të shenjtë më 12 dhjetor.
Kisha Orthodhokse i psal me nderim e mirënjohje të madhe këtij shenjtori të madh:
“Përluftar i Sinodit të parë u tregove; dhe çudibërës hyjprurës, o Spiridhon i shenjtë. I fole së vdekurës në varr,dhe gjarprin e zi e bëre ar; në altarin ku shërbeje për Zotin Krisht me engjëjt tok meshoje. Lavdi Atij që të lavdëroi; lavdi Atij që të dha kurorë; lavdi Atij që veproi me anën tënde shërime”.
(Përlëshorja e Shenjtorit, shkëputur nga Libri “Kremtore”, përkthyer nga Noli)

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου