Rruga Ime, rruga Juaj, rruga Jonë…
mall dhe dhimbje për Korçën
nga Ana Maria Dhamo
Këtë mall të madh e hodha në letër
dhe e botova në gazetën e qyteti ku jetoj.
Sigurisht, në shqip ndoshta jam pak e varfër,
por në greqisht doli e ëmbël edhe pse nostalgjike,
është Nostalgjia e Emigrantit.
Sepse vërtet kam nostalgji për vendin tim,
për qytetin tim, për rrugicën ku u rrita
nostalgji për ëndrrat tona të djegura
dhe të realizuara për fat të keq, diku jashte atdheut…
Në këtë shkrim është nostalgjia e një emigranteje
une thjesht i hodha të gjitha ato çka ndjeva,
për rrugicën time të fëminisë
dhe për ëndrrat tona të djeguara… Anna Maria Dhamo
.
Kjo është rruga më e bukur në Korçë, kjo është rruga ime.
Këtu dikur bëja kolovajzë me shokët dhe shoqet e fëminisë të cilët një ditë u shpërndamë nëpër botë dhe s’dimë më as ku jemi dhe as si jemi!
Këtu luaja me cingla, gjë që tani s’e shoh më të luhet sepse tani s’ka më fëmini në këtë rrugë të mbetur bosh.
Kësaj rruge ne të rinjtë e atëhershëm, këndonim mbrëmjeve, kurse tani nuk gjen më rini në rrugë, e nëse i gjen numurohen me gishta…
Ne dashuroheshim mes këtyre rrugëve… dhe djemkat na këndonin serenatat e tyre këtyre rrugëve sot që janë kaq bosh…
Këtu në këtë rrugë, ne vajzat uleshim sofateve dhe qendisnim pajën, qendisnim ëndrrat tona, sot të mbetura aq të largëta…
Tani nuk shikoj as vajza e as sofate… Dy çupka të bukura ka rruga ime, me kë të mblidhen këto dy çupka të shkreta? Qendisjet duan shoqe dhe biseda… Sepse ne nga Korça kështu e kishim zakon dikur…
Kjo rrugë gumëzhinte nga zërat tanë dhe nga gratë e mehallës që bënin thashethemet e ditës…
Ja më bëhet sikur shikoj Ristën që mblidhte gratë dhe bënin petkat me radhë duke u mburrur kush e kush i hapte më të mira petët!
Apo Nastën (mamaja ime) që na i ra ndërmend të bënte çorga; apo Ariklia kish marrë përsipër të bënte përgatitjen e majës, e cila shtrohej në rruge me dy shufra hekuri…
Po Zmilka që i thërriste Tançit të ulej në jasteçkë se mo ftohej…
Makën që ngjitete rrugën me zor nga puna e lodhëshme..
Nestin që i hipte biçikletës nga shtepia dhe zbriste tatëpjetën që ne fëmijve na dukej aq e vështirë
As rrushi që kalonte nga shtëpia e Vangjos e shkonte deri te shtëpia e Stavros nuk ekziston më.
.
U tha, a po e prishën kur rregulluan rrugën? S’e di! Qe i bukur ajo pjergull tej e tej dhe mburreshin dy komshinjtë e mi me rrushin në vjeshtë…
Dëgjoj babin që i thërriste Vangjos t’i spërkatëte rrushin! Ishte specialist i rrushit Vangjoja, dhe e gjithë rruga atë merrte për krasitjen e tij…
Tani vetëm një burrë shikoj të zbresë rrugës. E afroj foton, po nuk është as Turi e as Guri, të vetmit djem të mëhallës sime të dikurshme…
Dhe unë vazhdoj të zbres rrugën me imagjinatën time dhe shoh sa djathtas, sa majtas… po asgjë… veç zbrazësi dhe heshtje, e cila e bën dhe më të ngurtë e më të trishtë rrugën time…
Dhe sjell ndërmend shumë kujtime të bukura, të trishtuara, të dhimbëshme por, më shumë dëshpëron kjo zbrazësirë që shoh ngado.
Shikoj Ollgën të ulur ne porta e saj, e mbledhur e bëra sa një grusht. Dëgjoj Netën t’ju thotë grave që nesër nuk punohet se është e kremte…
Ne Maqka që kishte lule jargavani – nuk e shikoj as atë, është tharë edhe ajo…
Se çdo portë e rrugës sime kishte lule, tani aëgjë më.
Edhe shtëpia ime nuk duket më që këtu se është e futur. Eh rruga e shtëpisë time, gjithnjë me barë jeshil të cilën gjithmonë e pastronte babi im. Mua më pëlqente ashtu, sepse në pranverë binte era bar… Më kënaqte ajo aroma e barit të sapo korrur. Tani është shtruar me beton dhe e bën kaq të ftohtë hyrjen e saj…
Ne ikëm dhe bashkë me ne ikën edhe kujtimet..
.
U larguan fëmijët e kësaj rruge dhe ajo tashme ka mbetur në heshtje, e ftohtë, e ngurtë, e ngushtë, pa jetë…
Tani që shkoj nëpër të, më duket sikur na qorton për vetminë e saj…
Ah, sa do të deshja të mblidheshim dhe njëherë ne fëmijët e kësaj rruge… Ta gjallëronim me ato bisedat tona sepse kemi aq shumë për të thënë… por e di, se kjo është e pamundur… Jemi të gjithë të ikur! Ne jemi brezi i të ikurve!
Duke e parë këtë rrugë m’u erdhën pak nga kujtimet tona, sepse kemi shumë, aq shume kujtime nga kjo rrugë…
Kjo është rruga ime, rruga juaj, rruga jonë, një nga rrugicat me kalldrëm të qytetit tim që gjithnjë kemi dëshirë ta quajmë Parisi i Vogël…
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου