Τρίτη 11 Ιουλίου 2017

Turizmi, këshilla e ambasadores greke: Mos bëni gabimet tona

Turizmi grek lëviz me ritme zhvillimi 7%, dy herë me të lartë se mesatarja e ritmeve të turizmit në botë, që janë 3-4%. Tri vitet e fundit, prurjet turistike regjistrojnë njërin rekord pas tjetrit, 26 milionë ishte fluksi ndërkombëtar i turistëve gjatë 2015 dhe 27.5 milionë gjatë 2016, ndërsa për 2017 priten 30 milionë turistë nga vendet e tjera.
greqi
Së bashku me Marinën Tregtare, ku Greqia mbetet fuqia e parë në botë, turizmi përbën lokomotivën e ekonomisë dhe zhvillimit grek. Kontribuon me më shumë se 18% në GDP dhe krijon thuajse 1 milion vende pune, direkte apo indirekte. Korfuzi, Halkidhiki, Mykonos, Santorini por dhe Rodos janë disa nga destinacionet që zgjedhin shqiptarët për pushimet e tyre në Greqi.
Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, zonja Eleni Sourani, tregon sekretet e suksesit të turizmit në vendin fqinj, i cili ka nisur rreth 60 vjet më parë, ndërsa sot shënon shifra rekord zhvillimi.
Znj. Ambasadore, Greqia po thyen njëri pas tjetrit rekordet në turizëm dhe është njëra nga 15 destinacionet më popullore në botë. Kujt i dedikohet kjo?
Industria greke e turizmit, në formën e turizmit të organizuar ndërkombëtar, filloi thuajse përpara 60 vitesh. Ishte periudha e mrekullisë ekonomike greke, siç është quajtur, kur vendi në atë kohë kishte ritme zhvillimi ekonomik 8% në vit. Kur bukuritë natyrore të Greqisë dhe mikpritja tradicionale e banorëve sollën kinematografinë amerikane, Hollivudin, për të xhiruar filma në Greqi, ishte çështje kohe që të fillonin mbërritjet e organizuara turistike ndërkombëtare. Që prej asaj kohe, shumë gjëra janë bërë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, por Greqia mbetet dashuria e madhe e gjithë atyre që kërkojnë kombinimin e diellit dhe të detit, të kulturës e të pasurive arkeologjike, të argëtimit dhe kulinarisë cilësore.
Ishulli i Mykonos në Greqi
Ishulli i Mykonos në Greqi
Cilat mendoni se janë kushtet e domosdoshme për zhvillimin e turizmit?
Para së gjithash, një vizitor, i cili kursen gjatë gjithë vitit për të kaluar pak ditë çlodhëse, nuk do që të sorollatet. Kjo do të thotë se i duhet infrastruktura, domethënë, aeroporte, porte dhe akse të mira rrugore. Greqia, për shembull, disponon në total 40 aeroporte, prej të cilave 15 janë ndërkombëtare, 21 në të cilat bëhen fluturime kombëtare dhe charter e 4 ekskluzivisht për fluturime kombëtare. Në 14 aeroportet më të mëdha rajonale, deri në 2020 parashikohen që të bëhen 330 milionë euro investime.
Duke i kombinuar me 2500 kilometra autostrada dhe mijëra itinerare tragetesh, aksesi i turistëve në destinacionet turistike është jashtëzakonisht i lehtë. Të një rëndësie të veçantë janë gjithashtu edhe njësitë akomoduese hoteliere, që kërkojnë investime të mëdha, por edhe njohuritë përkatëse. Greqia disponon 10.000 hotele, prej të cilave 1000 janë me 4 yje. Renditet e gjashta midis vendeve me numrin më të madh të hoteleve me 5 yje në të gjithë botën, duke pasur 420 të tilla.
Gjithashtu funksionojnë 7 fusha golfi të parametrave ndërkombëtarë (18 gropa) në Atikë, në Rodos, në Halkidhiki, në Mesinia, në Kretë dhe në Korfuz. Në projekt është ndërtimi i hotelit të parë me 6 yje në Greqi me një kapacitet 1000 shtretër. Pritet të ndërtohet në Rodos, në një sipërfaqe 95.000 metra katrorë dhe do të përfundojë në 2018. Kjo infrastrukturë ofron një gamë të gjerë alternativash dhe destinohet për turistë të të gjitha mundësive ekonomike.
Tre ishujt në Ksamil
Tre ishujt në Ksamil
Një faktor tjetër i rëndësishëm është cilësia e shërbimeve. Trajnimi i personelit është një sektor ku Greqia, për vite me radhë, ka bërë investime të konsiderueshme. Sot ekzistojnë 11 shkolla për Biznesin e Turizmit në nivelin e arsimit të lartë dhe shumë të tjera në nivele më të ulëta arsimimi. Zhvillimi i turizmit duhet të mbrojë ambientin e trashëgiminë kulturore dhe natyrore të çdo rajoni. Në të shkuarën, edhe në Greqi bëmë gabime me ndërtimin e hoteleve shumë të mëdha, të cilat ndryshojnë fizionominë e rajonit apo krahinës. Këto politika janë braktisur prej dekadash.
Theksi vihet në promovimin e vendbanimeve tradicionale, ndërtimeve miqësore kundrejt ambientit dhe mbrojtjes së bukurive natyrore. Për shembull, në Programin Ndërkombëtar të Flamurit Blu (Blue Flags) 2017, Greqia renditet e dyta në rang botëror për plazhe të pastra, me 486 plazhe të vlerësuara me çmime, midis 47 vendeve të botës. Ky është tregues i rëndësisë që i kushtojmë mbrojtjes së zonës detare, një punë shumë kërkuese, pasi Greqia disponon 16.000 kilometra vijë bregdetare.
Përveç komoditetit, vizitori kërkon edhe siguri, dhe është i rëndësishëm fakti se, në një studim të kompanisë së pavarur britanike “Censuëide”, 73%-80% të të pyeturve e konsiderojnë Greqinë si destinacion të sigurt. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është edhe infrastruktura në sektorin shëndetësor, si spitalet e mëdha dhe qendrat shëndetësore.
Përmendët kulturën dhe arkeologjinë. Natyrisht, të gjithë e njohim Akropolin e Athinës, por mendoj se ka edhe shumë të tjera. Mund të na jepni më shumë të dhëna?
E vërtetë, në të gjithë vendin ekzistojnë mbi 100 site arkeologjike, pjesa më e madhe e tyre të njohura botërisht, siç është Olimpia dhe Mikena në Peloponez, Dhion në Maqedoni dhe Knosos në Kretë. UNESCO ka përfshirë 17 monumente në Trashëgiminë e Kulturës Botërore. Gjithashtu, Greqia ka, në raport me popullsinë, numrin më të madh të muzeve në botë. Disponon më shumë se 100 muze arkeologjike, 25 muze bizantine dhe 150 muze të tjera të ndryshme. Gjithë vendi, madje, është si një muze i hapur, dhe kjo përbën një pol të rëndësishëm tërheqës për vizitorët e huaj.
Çfarë do t’i rekomandonit Shqipërisë për zhvillimin e turizmit të saj?
Shqipëria është një vend shumë i bukur, në të cilin, ashtu si në Greqi, gjen të kombinuar diellin dhe detin, malin me peizazhet e gjelbëruara. E sigurt është se zotëron mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi dhe kjo ka filluar të duket tashmë. Infrastruktura është përmirësuar mjaft, me akse të reja rrugore, me plane rikualifikimi urban, me muze të reja dhe promovim të ambienteve arkeologjike, por, sigurisht, mbeten akoma shumë për t’u bërë.
E konsideroj avantazh për Shqipërinë faktin se ajo ndodhet në start, sepse kjo i jep mundësinë që të shmangë gabimet që bënë vende të tjera turistike në fillimet e tyre, para 40 apo dhe 50 viteve. Ndërtimet masive shkatërrojnë ambientin dhe ulin cilësinë e shërbimeve që ofrojnë. Duke respektuar traditën ndërtimore, duke mbrojtur bukuritë natyrore të çdo krahine, dhe me një personel të kualifikuar, Shqipëria do të jetë destinacioni i ardhshëm turistik në Mesdhe.
Si munden eksperienca greke dhe bashkëpunimi greko-shqiptar të ndihmojnë në rritjen e sektorit të turizmit në Shqipëri?
Afria gjeografike e dy vendeve u jep mundësinë, veçanërisht turistëve nga vende të largëta, për shembull, nga Kina, të koordinojnë pushimet e tyre, duke përfshirë dy apo dhe tri destinacione. Jam informuar ndërkohë se linja e tragetit Korfuz-Sarandë do të shtrihet për periudhën e verës deri në Vlorë.
Ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani
Ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani
Pra, kemi të bëjmë me lajme shumë të mira, që do të forcojnë lëvizjen turistike. Gjithashtu, shumë shqiptarë që studiuan dhe punuan në sektorin e turizmit në Greqi, janë kthyer, duke sjellë një eksperiencë të vyer në atdheun e tyre. Dhe kjo është ajo bukuria e marrëdhënieve njerëzore që lidhin të dyja vendet. Sigurisht që ekziston gjithmonë mundësia e bashkëpunimit të dy vendeve në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe sektorin e turizmit.
Dhe një pyetje personale: Cilat janë përshtypjet tuaja si vizitore në Shqipëri?
Në Shqipëri nuk jam vetëm vizitore. Para së gjithash, prej një viti, këtu është shtëpia ime. Ndihem shumë mirë, shumë e afërt me vendin. Natyrisht, sa herë që vizitoj një zonë, kam ndjesinë e turistit dhe më duhet ta pranoj se bukuria e peizazhit më bën vazhdimisht përshtypje. Kam pasur gëzimin që të pres dhe t’u ofroj mikpritje shumë miqve e të afërmve dhe të gjithë u larguan me përshtypjet më të mira. Nuk kam asnjë dyshim se çdo vizitor në Shqipëri do të dëshironte që të vinte sërish.
ARISTIR LUMEZI/PANORAMA

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Ενισχύστε οικονομικά την προσπάθεια μας!

Ετικέτες

ενημέρωση (2161) ενημέρωση-informacion (1487) Αλβανία (907) ορθοδοξία (422) ιστορία-historia (399) Εθνική Ελληνική Μειονότητα (366) ελληνοαλβανικές σχέσεις (312) ορθόδοξη πίστη - besimi orthodhoks (280) Εθνική Ελληνική Μειονότητα - Minoriteti Etnik Grek (258) Β Ήπειρος (240) ορθοδοξία-orthodhoksia (239) ορθόδοξη πίστη (222) εθνικισμός (195) διωγμοί (162) Κορυτσά-Korçë (122) τσάμηδες (122) shqip (119) Κορυτσά Β Ήπειρος (109) informacion (100) Αρχιεπίσκοπος Αναστάσιος (97) ορθόδοξη ζωή (96) ορθόδοξη ζωή- jeta orthodhokse (76) διωγμοί - përndjekje (62) ορθόδοξο βίωμα (59) εθνικισμός-nacionalizmi (58) ορθόδοξη εκκλησία της Αλβανίας (55) Ελλάδα-Αλβανία (48) Ι.Μ Κορυτσάς - Mitropolia e Shenjtë Korçë (47) ανθελληνισμός (44) πολιτισμός - kulturë (44) Ελληνικό Σχολείο Όμηρος (43) Γενικό Προξενείο Ελλάδος Κορυτσά (41) besimi orthodhoks (40) Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας - Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare (40) ιστορία ορθοδοξίας (36) βίντεο (35) Shqipëria (32) ΕΠΑΝΑΣΤΑΣΗ 1821 (32) κομμουνισμός- komunizmi (30) πνευματικά (27) Μητρόπολη Κορυτσάς - MItropolia e Korçës (24) πολιτική-politikë (24) απόδημος ελληνισμός-helenizmi i diasporës (22) αλβανικά (21) εκπαίδευση (21) Αρχαία Ελλάδα (20) helenët-Έλληνες (19) κομμουνισμός (19) Greqia (17) Βλαχόφωνοι Έλληνες (15)